Edhe “specialistët” e Serisë
A preferojnë Romën
kampione

16.05.2008
Java e fundit e kampionatit italian do të mbyllë
përfundimisht “telenovelën” e titullit kampion të Serisë A.
Interi dhe Roma janë ngjeshur në vetëm një pikë
diferencë. Sa e barabartë paraqitet situata në klasifikim,
aq e barabartë duket edhe skema e ndeshjeve të këtyre
dy formacioneve. Interi e Roma, javën e ardhshme do të
udhëtojnë respektivisht drejt transfertave të Parmës e
Katanias, ku do të kenë përballë dy skuadra, të cilat
luftojnë për qëndrimin në Serinë A. Fatet e titullit
kampion varen nga këto dy sfida, ndonëse zikaltrit kanë
një avantazh të vogël kundrejt verdhekuqve. Gjithsesi,
preferenca e shumë sportdashësve, por mbi të gjitha e
disa prej specialistëve dhe trajnerëve të famshëm italianë
është që të shohin Romën e Spaletit, kampione të sezonit
2007-2008 të Serisë A. Arrigo Saki është një prej tyre:
“Roma është skuadra që bën futbollin më të bukur në
Itali, por njëkohësisht ka treguar se lojtarët e saj nuk janë
aspak inferiorë kundrejt milionerëve të Interit”. Renco
Ulivieri duartroket kampionatin e skuadrës së Spaletit
dhe duket i bindur se këtë sezon, titulli do të shkojë në
Romë. “Interi ka dominuar fillimisht kampionatin, por
Roma kishte forcën të qëndronte pranë tyre”. Në të
njëjtin mendim janë edhe Novelino, Kamoleze, por
gjithashtu edhe drejtuesit e skuadrës juventine, duke
filluar nga Koboli Xhili, Xhon Elkan e Zhan Klod Blank.