Roma: Ne besojmë!

15.05.2008
Futbollistët verdhekuq janë të bindur se mund të ndodhë
përmbysja e madhe.
Ndërsa Toti fshihet, De Rosi është më i vendosur: “Javën e
fundit mund të ketë surpriza, por ne duhet të fitojmë në
Katania”.
Ndërsa para dy ditësh Françesko Toti kishte thënë se
“titulli do t’i shkojë Interit, sepse gjithçka është e
shkruajtur”, në mbrëmjen e të hënës, në ndeshjen e
zemrës në Romë, në stadiumin “Olimpico”, ku ka luajtur
kombëtarja e futbollistëve me këngëtarët, i pranishëm
edhe Maradona, kapiteni verdhekuq u shpreh:
“Sigurisht, Interi do të fitojë, por jo sepse është më mirë se
ne, sepse në këtë ecuri në kampionat, ata kanë vetëm një
barazim më shumë se ne, ndaj nuk mund të themi se janë
superior, pasi Roma ka zhvilluar një kampionat të
jashtëzakonshëm. Unë them vetëm se shpresa vdes e
fundit dhe ne besojmë”. Edhe Daniele de Rosi mendon se
Roma duhet të mos dorëzohet dhe të bëjë detyrën në
Katania: “Eshtë një sfidë e vështirë, sepse ata luajnë për të
shpëtuar, ndërsa ne për të shpresuar te titulli, por e njëjta
situata paraqitet edhe te ndeshja e Interit, në Parma. Pra,
them se do të jetë një javë tepër e bukur dhe emocionuese,
pasi të mos harrojmë se edhe lufta për shpëtim apo zona
Champions është ende e hapur. Kishim kohë që nuk
shihnim një situatë të tillë dhe kjo është diçka që i duhet
futbollit italian dhe Serisë A, për të cilën mendoj se është
një nga kompeticionet më të bukura në botë”, tha De
Rosi, i cili më pas u ndal te e ardhmja e tij: “Do të
takohem me drejtuesit e klubit dhe do të diskutoj, por e
kam thënë dhe do ta përsëris se e ardhmja ime do të jetë
këtu në Romë dhe shpresoj që të fitoj shumë. Unë
kapiten? Për momentin as që flitet për këtë, sepse të
zëvendësosh Totin është gati e pamundur, për atë që ai ka
dhënë dhe po vazhdon të japë”.