


| Cicinho: "Roma do ta fitoj Scudetto-n" 15.05.2008 |
| I takon mbrojtësit brazilian Sisinjo për të nxjerrë në pah krenarinë e qytetit roman. Kur na ndan vetëm një ndeshje nga përfundimi i kampionatit, mbrojtësi i Romës, në kundërshtim me kapitenin Toti, i cili për të mos i sjellë ters skuadrës verdhekuqe shprehet që kampionatin do ta fitojë Interi, është 100% i sigurt që këtë sezon do jetë skuadra romane që do ngre titullin Kampione e Italisë: “Këtë titull do ta fitojë Roma dhe për këtë jam i sigurt – ka thënë me italishten e tij mbrojtësi brazilian, i cili më pas ka shtuar – Interi është një skuadër të fortë, e cila ka punuar seriozisht, por duke parë atë që kemi bërë ne gjatë të gjithë këtij sezoni, besoj se e meritojmë më shumë se zikaltrit ta fitojmë këtë titull. Pra me pak fjalë janë dy skuadra që meritojnë të fitojnë titullin, por vetëm njëra do ta arrijë, dhe ajo është pa më të voglin dyshim Roma”. Një verdikt, i cili do merret në përfundim të dy takimeve Parma-Inter dhe Katania-Roma, ndeshje të cilat mbrojtësi verdhekuq i shikon tepër të ngjashme me njëra-tjetrën: “Si ne, edhe Interi jemi përballë dy ndeshjeve tepër të ngjashme. Për mendimin tim asnjëra nga këto përballje nuk është me e lehtë apo më e vështirë. Por megjithatë jam i sigurt që do jetë Roma, ajo që do ngre titullin”, ka përfunduar mbrojtësi brazilian i skuadrës së drejtuar nga Luçiano Spaleti, Sisinjo. |
